Jetimët dhe absurditeti për njohjen si të tillë nga shteti
Nuk ka se si të ndodhë ndryshe teksa sheh thuajse çdo ditë në rrugë të madhe fëmijë duke lypur apo duke e kryer një punë të rëndomtë: ashtu, të larguar nga arsimimi dhe me hallet e pafundme që u ka lënë largimi i babait nga kjo botë dhe ndihmesa për të siguruar jetesën e nënës që nuk ka ku ta përplasë kokën për të gjetur burime jetese.
Dikush që kalon dhe pyet se “ku i ke prindërit” dhe ata fëmijë që përgjigjen “jam jetim”, e ndonjë tjetër ka gjetur një mundësi për t’iu lutur dikujt që në një pankartë t’ia shkruajë “jam fëmijë jetim”. Po vallë përse këta fëmijë që po na shtohen çdo ditë rrugëve të kryeqytetit dhe rretheve të tjera janë jetimë?
Pjesa më e madhe e tyre jeton me nënën pasi babai u ka humbur jetën. Ndërsa më të paktë janë ata fëmijë që kanë humbur të dy prindërit dhe ndonëse figurojnë në kujdesin e gjyshërve apo të afërmëve të tyre nga gjaku, jetën e kalojnë rrugëve. Ndryshe nga moshatarët e tyre, ata janë të detyruar të kërkojnë mes vështirësive maksimale burime jetike të cilat shumë shpejt do t’i bëjnë të pavarur edhe nga kujdestarët e tyre.
Po cila është problematika më e madhe e cila po e “diskriminon” këtë kategori në nevojë e askush nuk kthen kokën të ndryshojë të paktën në terminologji njohjen e jetimëve?
Përse është kaq e vështirë të kategorizosh fëmijët që humbasin prindërit e tyre në një grup shoqëror me një të përbashkët dalluese nga fëmijët e tjerë që rriten në shoqërinë ku jetojmë?
A mos vallë është diskriminues emërtimi “jetim” sesa mosnjohja fare si një kategori, duke lënë pas edhe çdo benefit apo ndihmesë të karakterit social, kulturor, arsimor e financiar ndaj tyre?
Në ditët e sotme, përpos fëmijëve të braktisur që në lindje dhe fëmijëve të cilët humbasin të dy prindërit, një tjetër kategori me të drejtë të plotë që mundet të fitojë statusin e jetimit janë fëmijët atësia e të cilëve është e panjohur. Babai është i gjallë, e për njërën apo tjetrën arsye nuk dëshiron të njohë fëmijën e tij, gjakun e tij. Për këtë fëmijë lind e drejta të përfitojë statusin e jetimit e për rrjedhojë edhe benefitet që përfitohen nga ky status.
Nëse ky fëmijë e ka babain gjallë(me shumë gjasa sapo të fillojë të kuptojë do ta shohë që ai është aty pranë tij por vetëm nuk ka certifikuar aktin e lindjes të këtij fëmije) po fëmijët që nuk kanë zgjedhur të jetojnë pa babain e tyre të dashur i cili largohet nga kjo botë pa dëshirën e askujt, çfarë emërtimi duhet t’i vendosim?
A nuk është ky një akt diskriminimi të cilën e hasim çdo ditë dhe ende nuk kemi mundësinë të themi një fjalë?
Si në aspektin terminologjik, shoqëror, por edhe atë historiko-kulturor të vendit tonë, fëmijët me mungesën e një prej prindërve apo të dy prindërve janë quajtur “jetim” pjesë që duhej ndihmuar, mbështetur dhe suportuar nga të gjithë shoqëria e jo të distancohet apo të diskriminohet sikurse po ndodh në ditët e sotme ku jetimët duhet të personifikohen si fëmijët e një prindërorëve që i kanë në ngarkim.
Pse vallë po diskriminohen jetimët?
Jetimët, duke mos iu njohur emërtesa e tyre në asnjë prej ligjeve shqipëtare (përpos kategorive që fitojnë statusin e jetimit) nuk kanë të drejta:
- Të përfitojnë lehtësime në të gjitha procedurat e rimbursimit të teksteve shkollore të cila çdo vit po detyrojnë një numër të madh fëmijësh që të braktisin bankat e shkollës për arsimin e detyruar dhe një numër më i madh akoma të jenë larg arsimit të mesëm apo atij profesional.
- Distancimi dhe barrierat që vijnë që në arsimin e detyruar dhe atë të mesëm ka minimizuar mundësitë e fëmijëvë jetimë që të ndjekin studimet e larta në degët që vetëm mundet t’i kenë ëndërruar që në moshë ende pa shkuar në adoleshëncë.
- Mosnjohja si kategori e jetimëve që ligji njehson këto familje janë të diskriminuara të kenë mbështetjen në përfitimin e bursave që akordohen çdo vit shkollor nga këshillat bashkiakë .
- Edhe ligji i strehimit nuk i përfshin me përparësi këto familje. Jetimët me status dhe njëprindërorët që kanë fëmijë në ngarkim mundet të përfitojnë. Por kur vjen puna që të përfshihen të vejat kryefamiljare që rrisin fëmijë jetimë, paragrafi mungon dhe kjo kategori duhet të ngushëllojë veten duke u përfshirë tek një prindërorët.
- Mbështetja shëndetësore sërish nuk i përfshin me përparësi pasi mungon statusi dhe fëmijët jetimë janë sikurse të gjitha shtresat me më pak nevoja, ndonëse kushtet jetësorë të tyre janë në ekstremet e minimumit jetik.
E pra jetimët vazhdojnë të mos jenë asgjëkundi në këtë shoqëri e deri sa të marrin emërtimin e tyre zyrtar në ligjet e shtetit shqipëtar dhe fletoret zyrtare, halli i tyre vazhdon të jetë…jetim!